Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin duket se është vetëm në luftën e tij kundër Ukrainës, pasi pas vetes ka vetëm Bjellorusinë dhe Çeçeninë. Miqtë e tij të tjerë duket se i kanë kthyer shpinën. Hungaria do të mbështesë të gjitha sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë. Kështu tha sot në kufirin ukrainas-hungarez kryeministri hungarez Viktor Orban, të cilin Putin e priti përzemërsisht në Kremlin vetëm disa javë më parë.
“Hungaria e ka bërë të qartë se ne mbështesim të gjitha sanksionet. Për çfarë do të arrijnë të bien dakord kryeministrat e Bashkimit Evropian, ne e pranojmë dhe mbështesim. Është koha për të qenë të bashkuar, kjo është një luftë,”– u tha Orban gazetarëve, raportoi Reuters.
Ndërkohë nga Ankaraja ka mbërritur informacioni se Turqia do të ndalojë kalimin e luftanijeve ruse përmes Dardaneleve dhe Bosforit, që lidhin Detin e Zi me Mesdheun. Ç’ka do të thotë që edhe presidenti turk Recep Tajip Erdogan nuk e mbështet mikun e tij Putin.
Turqia do të parandalojë anijet luftarake ruse të kalojnë nëpër Dardanelet dhe Bosforin,”– tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pas bisedimeve me Ankaranë, duke shtuar se vendi i kishte premtuar mbështetje ushtarake dhe humanitare Ukrainës. Megjithatë, Turqia njoftoi se ende nuk ka marrë një vendim për mbylljen e ngushticave të saj midis Mesdheut dhe Detit të Zi për marinën ruse – pavarësisht pretendimeve të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.