SHBA i jep ‘shuplakën’ Vuçiqit / Shtëpia e Bardhë hap dyert për Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin, për Vuçiqin ‘nuk ka vend’

Bytyçi: Në Shtëpinë e Bardhë nuk do të pritet ambasadori i Kosovës në Uashington, por vetë kryeministri Kurti e presidentja Osmani“.Vuçiq nuk është ende i dëshirueshëm në Shtëpinë e Bardhë”.

Profesor, doktor Enver Bytyçi, për gazetën “Bota sot” ka folur lidhur me fotografinë që ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq e publikoi me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Sipas tij, lobimi i Gjuriqit te ligjvënësit amerikanë ka dhënë frytet e veta.

“Marko Gjuriq shkoi ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një optimizëm të madh përfaqësimi të Serbisë në Uashington. Në fakt ai ka mundur që të krijojë një klimë të re të marrëdhënieve serbo-amerikane. Ai ka lobuar fort që sa më shumë senator e ligjvënës amerikanë të mbështesin politikat dhe strategjitë serbe në rajonin tonë. Ka bërë gjithçka që të penetrojë në Shtëpinë e Bardhë, derisa këto ditë hyri atje dhe takoi presidentin Biden. Sigurisht që ky është një sukses i Gjuriq”, thotë Bytyçi.

Ai thekson se vizita e Gjuriqit në Shtëpinë e Bardhë ka dy anë.

“Po a është takimi i ambasadorit të Serbisë në Shtëpinë e Bardhë një sukses apo mossukses i presidentit Aleksandër Vuçiq?! Unë besoj se kjo ngjarje ka dy anë. Për disa takimi i Marko Gjuriq me presidentin amerikan është kthesë në imazhin dhe marrëdhëniet serbo-amerikane. Dhe nuk mohohet se është sukses edhe i diplomacisë amerikane ky! Prandaj dhe takimin në fjalë e përshëndeti gjithashtu ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill! Megjithatë ka dhe një lexim tjetër. Presidenti i SHBA-ve tradicionalisht pret në zyrën ovale të tij kryetarë shtetesh dhe kryeministra të vendeve të tjera. Nuk pret ambasadorë. Në këtë këndvështrim vizitën e ambasadorit serb e shoh si sukses personal. Nëse SHBA-të do të prisnin në Shtëpinë e Bardhë presidentin e Serbisë, atëherë do të thonim se marrëdhëniet SHBA-Serbi do të merrnin një kthesë historike. Por jo. Kjo nuk ka ndodhur dhe në kushtet e sotme nuk do të ndodhë”, shprehet profesor Bytyçi.

Ai thotë se Aleksandër Vuçiq vazhdon të jetë person i padëshiruar në Shtëpinë e Bardhë.

“Sigurisht që Gjuriq ka lobuar edhe te Presidenti Biden që të ngrihen marrëdhëniet e dy vendeve në shkallë më të lartë. Kam përshtypjen se presidenti Vuçiq nuk është ende i dëshirueshëm në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë që vizitën e Gjuriq e shoh si një sinjal që i jepet Beogradit për t’u shkëputur nga ndikimi dhe aleanca me Rusinë. Ajo që po ndodh në Ukrainë ka edhe një arsye: Shërben dhe do të shërbejë që Serbia të përcaktohet përfundimisht me kë do të jetë – Me Rusinë e Vladimir Putin, apo me Evropën dhe SHBA-të?! Në këtë kuadër përdoren dhe mekanizma të tjerë si kjo vizita e Marko Gjuriq në Shtëpinë e Bardhë”, thekson Bytyçi.

SHBA i jep ‘shuplakën’ Vuçiqit / Shtëpia e Bardhë hap dyert për Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin, për Vuçiqin ‘nuk ka vend’ – Gazetaz

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *