

Kur përmendet “veterani i UÇK-së” në imagjinatën popullore, përpara del dikush që vdekjen e mashtroi qindra herë, e gjallë nga lufta e shpëtoi vetëm nafaka. Ama, veteran po del të jetë edhe ai që s’pati uniformë, por që dikush me aftësi amatore në photoshop ia veshi tash vonë… e edhe ai që dezertoi. Pos kryeministrit, të shkruar janë edhe dhjetëra mijëra tjerë.
Për përvjetorin e Zahir Pajazitit, Kurti derisa fliste për vlerat e luftës, e përmendi pak edhe Prishtinën. Por, pse Kurti duhet ta përmendë Prishtinën kur Zahir Pajaziti ishte i Llapit, e luftë në Prishtinë kishte pasur pak a hiç?
“Prishtina si kryeqytet ishte gjatë luftës çlirimtare vendi në kuadër të zonës operative të Llapit, dhe ku kishim për komandant Zahir Pajazitin i cili me aksionet e tij çlirimtare dha kushtrimin e lirisë shumë herët, para se të fillonte lufta çlirimtare dhe në këtë mënyrë mobilizoi mbarë popullin dhe zgjeroi radhët e UÇK-së drejt qershorit të vitit 1999 kur edhe u realizua qëllimi i vendit”, tha Kurti sot.
Kurti luftën e kishte bërë larg luftës, në Prishtinë, andaj e përmendi pak. Sipas analistit Ilir Mirena, kryeministri u sigurua që edhe veten ta bënte ushtar të Zahir Pajazitit.
“’Prishtina si kryeqytet ishte gjatë luftës çlirimtare në kuadër të zonës operative të Llapit e ku kishim për komandant Zahir Pajazitin…’, po thotë Kurti në një postim per heroin Zahir Pajaziti… E paska shti veten pak qaty si pahiri, me demek ‘e kishim’”, shkruan Mirena.
Kryeministri ynë – veteran i kontestuar nga PSD-ja dhe PDK-ja – nuk ka folur shumë për këtë çështje, pos një rasti në Kuvend kur kishte thënë se a ka qenë veteran i UÇK-së duhet të pyetet Rrustem Mustafa dhe Sylejman Selimi.
“A kam qenë unë UÇK, pyesni Sylejman Selimin dhe Rrustem Mustafën. Këta dy pyeti se a kam qenë në UÇK apo jo. Adem Demaçi a ka qenë në UÇK? Pra, unë kam qenë sekretar i tij”, tha ai.
Kur jemi te Selimi, së fundmi ka dalë një fotografi e tij me Kurtin, kinse gjatë luftës, të dy me uniformë dhe armë në dorë. Edituesi për ta shitur këtë fotografi tek viktimat e tij, trupin ia kishte marrë borxh Sami Lushtakut.
Rreth kësaj çështjeje, fotografi ka publikuar PSD-ja, ama aty shihet dorëheqja e Kurtit, apo dezertimi – siç e quan tabori i luftës.
Nga komandantët e UÇK-së, Rrustem Mustafa, dikur në PDK e tash i larguar nga skena politike, thotë me bindje se Kurti ka qenë pjesë e UÇK-së dhe është veteran i saj.
“Albin Kurti ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë kam pasur kontakte me zyrën ku ai punonte në zyrën e Adem Demaçit”, ka thënë Mustafa.
Kurti për vlerat e tij të luftës nuk flet shumë, ndoshta nga modestia, apo edhe mund të ketë tjera arsye.
Nobelisti amerikan i letërsisë, John Steinbeck, shprehet se “Kur njeriu thotë se nuk do të flasë për diçka, ai do të thotë se nuk mund të mendojë asgjë tjetër pos saj”.
Duhet përmendur, që nëse kryeministri Albin Kurti ishte përnjëmend veteran i UÇK-së atëherë Zyra e udhëhequr nga Adem Demaçi në të cilën bënte pjesë edhe ai ishte në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm. Shtabi i Përgjithshëm për një kohë e kishte pasur shef z. Azem Syla.