Koronavirusi/ Ramazani vjen pa iftar!
Pandemia e koronavirusit është një sprovë e vërtetë për besimtarët myslimanë në mbarë botën, sepse nga pasojat e saj preken tre nga pesë shtyllat e besimit islam: shumë vende e kanë kufizuar lirinë e tubimeve dhe xhamitë janë të mbyllura.
Pelegrinazhet në Mekë aktualisht nuk lejohen, pasi Arabia Saudite e ka mbyllur vendin e shenjtë për momentin. E tani është në rrezik edhe Ramazani, thotë DW. Periudha njëmujore e agjërimit islam fillon të enjten në 23 prill. Gjatë Ramazanit muslimanët lejohen të hanë dhe të pinë vetëm në mbrëmje dhe natën.
Për shkak të përhapjes së shpejtë të virusit agjërimi “normal” duket i vështirë për momentin. Frenimi i përditshëm nga ushqimi mund të nxisë shpërthimin e COVID-19, sepse stresi fizik mund të favorizojë sëmundjen, thonë ekspertët. Sidoqoftë agjërimi vlen vetëm për aq kohë sa shëndeti nuk rrezikohet – njerëzit e sëmurë dhe të dobët, si dhe gratë shtatzëna, përjashtohen nga rregulli i mbajtjes së Ramazanit. Dhe ky përjashtim madje mund të bëhet rregull për të gjithë në vitin 2020. Por në kohën e koronavirusit shumë më problematike është ndërprerja e agjërimit në mbrëmje: kur familjet dhe miqtë takohen për të darkuar dhe luten së bashku.
Mbrëmja fillon tradicionalisht me ëmbëlsira dhe një gotë ujë ose qumësht. Pastaj vazhdojnë faljet dhe në fund iftari. Por në kohën e “distancimit shoqëror” grumbullime të tilla natyrisht përbëjnë një problem, vazhdon DË, teksa kujton se takimet publike janë anuluar në shumë vende si Egjipit, e madje dhe Irani i ka kufizuar masivisht ritet fetare këtë vit.
Burimi:https://www.korrieri.com.al/2020/04/koronavirusi-ramazani-vjen-pa-iftar/?fbclid=IwAR2BoZqide6NQqtw9BIIBofjNr-dXimVbuwsltnWHsjql456oHfHDVDwDDo