-“Kjo s’mund të toleгohet”, Jashaгi “shpëгthen” ndaj Nuгës dhe Lushtakut….
Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar ndaj pasardhësit të tij, Fadil Nura dhe zëvendësit të këtij të fundit, Sami Lushtaku.
Jashari, nëpërmjet një postimi në Facebook tha se në ditën e përvjetorit të 14-të të Pavarësisë së Kosovës, derisa të gjithë festonim lirinë e pavarësinë që na e sollën dëshmorët e martirët tonë, kryetari i Skenderajt, Fadil Nura e nënkryetari Sami Lushtaku, kishin vendosur që të tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë duke përdhosur dëshmorët, luftën dhe sakrificën e tyre sublime.
Ai shtoi se pa dijeninë e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, dhe as Institutit të Mjekësisë Ligjore, ata rivarrosen eshtrat e njërit prej veteranëve të UÇK-së, të vrarë pas luftës, pranë dëshmorëve në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë.
Jashari deklaroi se personi të cilin pushteti aktual i Skenderajt e rivarrosi në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë, ka qenë ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së fundit në Kosovë, teksa shtoi se i njëjti fatkeqësisht ishte vrarë pas luftës dhe vrasja e tij nuk lidhet në asnjë formë me luftën tonë të shenjtë.
“Në fillim të mandatit tim si kryetar i Komunës së Skenderajt, në vitin 2018, puna e parë që kam bërë ka qenë rivarrimi i dëshmorëve tonë, nga Polaci ku kishin mbetur varret e tyre në gjendje të mjerueshme, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë, i cili me vite pas ndërtimit ishte neglizhuar nga ish qeverisjet e këtyre njerëzve të cilët nuk e kishin marrë iniciativën dhe përgjegjësinë që t’i rivarrosin dëshmorët tonë”, shkroi ai.
Me gjithë respektin për secilin ish ushtar të UÇK-së, duke bartë barrën e rëndë që kemi si pasardhës të dëshmorëve e heronjve tonë, nuk mund të pranoja një gjë të tillë, sepse të krahasosh dëshmorin me jo dëshmorin është turp, është përdhosje e gjakut të atyre që na e sollën Lirinë e Pavarësinë tonë, vijon postimi i Jasharit.
“Bazuar në kontributin e dhënë në luftën tonë heroike, në shenjë respekti për ta, për familjen dhe me qëllim të dokumentimit të historisë sonë, gjatë kohës sa kam udhëhequr me komunën e Skenderajt, bashkë me OVL-UÇK, dega në Skenderaj kemi hartuar projektin dhe kishim planifikuar ndërtimin e Kompleksit të Veteranëve të UÇK-së, afër Kompleksit të Dëshmorëve në Marinë, ku do të varroseshin veteranët e UÇK-së, të vdekur pas luftës sonë”.