


Një tjetër emër i është shtuar listës së kandidatëve për President të Republikës.
Federata Shqiptare e Amerikës “Vatra” ka propozuar kolonel Dritan Demiraj si kandidat për president.
Organizata më e vjetër e diasporës, është e mendimit se ish-ministri i Brendshëm demokrat i qeverisë teknike të 2017-s, është emri më i mirë për president.
Demiraj u vendos ministër brenda qeverisë Rama, si propozim i demokratëve, për të shmangur vjedhjen e zgjedhjeve të 2017-s, të cilat u humbën nga opozita.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” organizata më e vjetër e diasporës e ndjek me vëmendje situatën si dhe zhvillimet politike në Shqipëri.
Stabiliteti politik, partneriteti me aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, institucionet e forta demokratike janë gjithmonë boshti i orientimit tonë kombëtar për një Shqipëri të zhvilluar.
Duke ndjekur kalendarin kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Shqipërisë, kemi nderin e veçantë që në unanimitet të plotë të Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” dhe të 20 degëve në të gjitha shtetet e Bashkuara të Amerikës t`Ju propozojmë dhe të mbështesim për herë të parë një kandidat për postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Sa më sipër propozojmë zotin Dritan Demiraj si kandidat për zgjedhjet presidenciale në Shqipëri.
Zoti Dritan Demiraj ka një biografi dhe aktivitet të pasur si një nga ish ushtarakët e lartë më të dekoruar në dhe të vlerësuar në dekadat e fundit. Roli i tij në përfaqësimin me dinjitet, profesionalizëm dhe përkushtim të njësive të forcave të armatosura ka bërë krenarë jo vetëm shqiptarët brenda vendit por mbarë shqiptarët kudo ku jetojnë dhe punojnë në botë.
Kolonel Dritan Demiraj gjatë drejtimit të misioneve luftarake është vlerësuar maksimalisht nga institucionet më të larta të Republikës së Shqipëri, duke u vlerësuar me medaljet “Nderi i Kombit”, “Mjeshtër i Madh”, “Medaljen e Artë të Shqiponjës” si dhe është vlerësuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.