Demarkacioni ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës ka përfunduar në vitin 2015 dhe të dyja vendet duhet të ecin përpara për një jetë më të mirë për qytetarët e tyre.
Kështu është thënë nga kabineti i presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, për mediumin malazez “Vijesti”.
“Si fillim, Mali i Zi është shtet anëtar i NATO-s. Demarkacioni ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës u finalizua në vitin 2015. Marrëveshja u konfirmua nga të dyja qeveritë në vitin 2015 dhe hyri në fuqi në vitin 2018. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai malazez Filip Vujanoviq nënshkruan një deklaratë e përbashkët në shkurt 2018. Ata i bënë thirrje Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojë marrëveshjen. Parlamenti i Kosovës e ratifikoi një muaj më vonë. Si dy shtete, ne duhet të ecim përpara për një jetë më të mirë për qytetarët tanë”, thanë nga kabineti i Gjukanoviqit, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për demarkacionin me Malin e Zi nëse Marrëveshja mund të anulohet.