Në një spital të Chicagos, pacientët me Covid-19 po reagojnë pozitivisht në mënyrë masive ndaj Remdesivir.
Sipas një raporti nga portali shëndetësor amerikan “STAT”, ethe dhe vështirësi në frymëmarrje u ulën, pothuajse të gjithë pacientët u përmirësuan brenda më pak se një javë. Ilaçi Remdesivir mund të jetë ilaçi i parë i aprovuar për virusin e Covid-19.
Koronavirusi është ende një kërcënim për globin. Çdo ditë rritet numri i viktimave dhe deri më tani në të gjithë botën kanë humbur jetën 146,872 persona dhe rezultojnë të infektuar 2,183,877 të tjerë. Ndërkohë, betejën me COVID-19 e kanë fituar 552,771 qytetarët.
Vendi më i prekur në botë është Amerika. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë humbur jetën 34,641 persona dhe janë prekur nga COVID-19 678,210 qytetarë. Por virusi është ‘rizgjuar’ në Kinë. Gjatë 24 orëve të fundit në këtë shtet janë konfirmuar 351 raste të reja dhe kanë humbur jetën 1.290 persona. Numri total i viktimave në Kinë ka shkuar në 4,632.